Mbi 20,000 vizitorë vendas dhe të huaj vizituan sitet kulturore në Shqipëri, gjatë muajit janar 2026, duke treguar një interes për trashëgiminë tonë kulturore.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë këtij muaji janë regjistruar 11,315 vizitorë në muzetë kombëtarë, 6,012 vizitorë në parqet arkeologjike, si dhe 2,693 vizitorë në kala dhe monumente kulturore.
Sa i përket 5 siteve më të vizituara, sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, në krye renditet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, me 4,948 vizitorë, i ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me 3,475 vizitorë dhe Kalaja e Gjirokastrës me 2,167 vizitorë.
Ndërkohë, Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat është vizituar nga 1,604 persona, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit ka pritur 1,100 vizitorë gjatë muajit janar.




