Pas disa orëve heshtjeje për sulmin e paparë të Iranit me dronë dhe raketa kundër Izraelit, Rusia e bëri reagimin e parë formal, përmes të cilit Ministri e Jashtme ruse e shprehu “shqetësimin e thellë” të Moskës për “përshkallëzimin e rrezikshëm në rajon”.
Mund të këtë diçka të vërtetë në atë komunikatë, sepse analistët thonë se një luftë e përgjithshme në Lindjen e Mesme do të ishte në interes të Qeverisë së presidentit Vladimir Putin. Tani për tani, megjithatë, duket më e mundshme që Kremlini është më entuziast për një zhvillim i cili mund të jetë në dobi të Putinit në disa mënyra, shumica e të cilave lidhen drejtpërdrejt me luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Futja e Lindjes së Mesme në një luftë të përgjithshme është më e mira që mund të ndodhë për Putinin tani”, shkroi në X Hanna Notte nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington.
Ja pse.
E para, ajo do ta largonte vëmendjen nga lufta në Ukrainë në një kohë vendimtare, kur Kievi është duke u përballur me sfida të mëdha në vijën e frontit, të cilat mund të përkeqësohen në javët, apo muajt në vijim. Gjatë kësaj kohe, Rusia gjithashtu është duke i bombarduar pareshtur rrjetin energjetik të Ukrainës dhe qytetet e saj, përfshirë Harkivin dhe Odesën.
Shpërthimi i luftës në tetor mes Izraelit dhe Hamasit – i cili është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – i kishte ndërlikuar tashmë perceptimet e luftës në Ukrainë dhe kishte ndikuar në përpjekjet e Perëndimit për ta mbështetur atë kundër pushtimit rus.
Tensionet e reja në Lindjen e Mesme – hera e parë që Irani e sulmon haptazi dhe drejtpërdrejt armikun e vet të përbetuar Izraelin, apo anasjelltas – mund ta rëndojnë këtë problem për Kievin.
“Një mundësi për të sfiduar”
Për Kremlinin përfitimet e mundshme nga sulmi i Iranit kundër Izraelit janë të mëdha dhe goxha specifike. Gjatë dy vjetëve prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, ai e ka portretizuar kryesisht luftën atje si pjesë të një konfrontimi më të gjerë, në të cilin, sipas tij, Rusia është duke i mbrojtur veten dhe pjesën tjetër të botës kundër Perëndimit dhe, në veçanti, kundër Shteteve të Bashkuara.
Prandaj, propaganda e Kremlinit mund të përfitojë nga sulmi i Iranit kundër Izraelit, i cili do t’i jepte Rusisë material të ri që mund ta përdorë për t’i shtyrë narrativet e veta publike për luftën në Ukrainë dhe për përballjen me Perëndimin.
“Ka një perceptim të caktuar në mesin e një grupi shtetesh – Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës – se Perëndimi është dobësuar. Dhe, se qëndrimet dhe politikat e Amerikës nuk mund më të garantojnë siguri për aleatët e saj”, tha për Current Times Ihor Semyvolos, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Kiev.
Si rrjedhojë, sulmi iranian i jep Rusisë dhe shteteve me qëndrime të ngjashme “mundësinë për ta sfiduar këtë botë njëpolate për të cilën Putini, [presidenti kinez] Xi Jinping dhe [lideri suprem i Iranit Ayatollah] Ali Khamenei kanë folur shumë”, shtoi ai.
Mungesa e stabilitetit në Lindjen e Mesme e “largon vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina dhe nga krahu lindor i NATO-s, krijon pasiguri në mesin e aleatëve rajonalë të SHBA-së dhe nxit perceptime të mëdha globale se Perëndimi nuk mund ta qetësojë rajonin”, tha Notte për Radion Evropa e Lirë.
Pasiguri në Kongres?
Në veçanti, sulmi iranian kundër Izraelit e bën edhe më të pasigurt të ardhmen e ndihmës së vonuar tashmë amerikane për Ukrainën, ndërsa për Kievin, sulmi nuk ka mundur të ndodhte në kohë më të keqe.
Gati gjashtë muaj pasi presidenti amerikan, Joe Biden, e propozoi për herë të parë paketën e ndihmës që përfshin mbi 60 miliardë dollarë kryesisht ndihmë ushtarake për Ukrainën, si dhe ndihmë për Izraelin dhe për qëllime të tjera, kryetari i tanishëm i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, la të kuptohej në fund të marsit se ai do të kërkojë ta sigurojë mbështetjen për Ukrainën në ditët, apo javët në vijim.
Megjithatë, ishte e paqartë se çfarë do të propozonte ai saktësisht dhe sa do të dallonte propozimi i tij nga projektligji që kaloi në Senat në shkurt.
Tani mund të jetë edhe më e paqartë: disa orë pas sulmit të Iranit kundër Izraelit më 14 prill, Johnson tha se ai do të përpiqet ta kalojë këtë javë legjislacionin për ndihmë për Izraelit – por ishte i kujdesshëm të mos specifikonte nëse në propozimin e tij do të përfshihej edhe ndihma për Ukrainën. Pra, derisa Johnson ka lënë të kuptohet se e mbështet ndihmën për Ukrainën, sulmi iranian mund të rezultojnë në shtyrjen e saj përsëri në Kongres.
Në kërkim të çekuilibrimit
Pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat për ndihmën amerikane, Putini mund ta shohë sulmin e Iranit kundër Izraelit si një mundësi për ta rritur ndikimin e Moskës në Lindjen e Mesme, ku rikthimi i ndikimit politik, i cili ishte zhdukur plotësisht pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duket se ka qenë tejet i rëndësishëm për Putinin prej se ai erdhi në pushtet një çerek shekull më parë.
Rusia i ka forcuar marrëdhëniet me Iranin prej se e nisi pushtimin e Ukrainës. Teherani e ka mbështetur luftën e saj duke i dhënë dronë dhe teknologji për t’i prodhuar ata, por Putini ka vite që tenton t’i kënaqë armiqtë rajonalë të Iranit, përfshirë Izraelin dhe vendet e Gjirit Persian, siç është Arabia Saudite, si pjesë e përpjekjeve të tij për ta rritur ndikimin e Moskës në Lindjen e Mesme dhe për ta zvogëluar ndikimin e ShBA-së, njëkohësisht.
“Meqë Rusia po bëhet partner tejet i afërt i Iranit, Kremlini mund… të kalkulojë se, me Iranin që po e rrit përshkallëzimin, vlera [dhe] ndikimi i Rusisë ndaj shteteve të Gjirit mund të rritet – duke qenë se shtetet e Gjirit mund ta shohin Moskën [dhe Pekini] si lojtarët e vetëm me ndikim ndaj Teheranit, dhe si bashkëbisedues që mund të ndihmojnë t’i frenojnë iranianët”, shtoi Notte.
Kjo është një qasje klasike e Rusisë së Putinit: ndihmo të krijosh telashe, në një shkallë apo tjetër, dhe pastaj ofron ndihmë për t’i zgjidhur ato – në njëfarë mënyre që i bën dobi Kremlinit.
Megjithatë, analistët për Rusinë dhe rajonin thonë se Moska nuk dëshiron luftë të përgjithshme mes Izraelit dhe Iranit.
“Një skenar i tillë do të sillte rreziqe të mëdha për Rusinë”, sipas Nottes. Do ta ndërlikonte praninë ushtarake të Rusisë në Siri, ndërsa një sulm i rëndë ndaj Iranit mund t’ia dobësojë Moskës fuqinë kundër Ukrainës.
Për më tepër, “një luftë e përgjithshme do t’i jepte me gjasë fund qëndrimit të ekuilibruar të Rusisë në rajon. Do ta detyronte Rusinë të zgjidhte anë”. /rel/