Për 6 milionë euro subvencione të ndara nga Qeveria e Kosovës për energji efiçiente, kanë aplikuar gjithsej 5592 persona. Personat me asistencë sociale për stufa dhe kaldaja me biomasë, do të subvencionohen 90% të shumës ndërsa të tjerët 70%. Aplikantët do të përfitojnë subvencionim për pompë termike, invertorë, kaldaja me biomasë, stufa me biomasë.
Rreth 6 mijë persona kanë aplikuar për subvencionimin e energjisë efiçiente. Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Naim Zeqiri , i tha Radio Kosovës se vlera e subvencionimit është 6 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, ata që përfitojnë vlerë më të lartë të subvencionimit janë personat me asistencë sociale, të cilët subvencionohen me 90 për qind për stufa me biomasë.
“Te stufa individuale, nëse aplikanti është në asistencë sociale do të përfitoj 90% të subvencionimit, për dallim prej të tjerëve që do të përfitojnë 70%”, tha ai.
Interesimi i qytetarëve për të aplikuar për subvencionim të qeverisë, ka qenë shumë i madh. Ndërsa, Zeqiri tregoi se për cilat pajisje kanë aplikuar.
“Për pompë termike janë 1313 aplikues, invertor apo klima 2656 aplikues, kaldajë me biomasë 816 aplikues, stufa me biomasë 1207 aplikues”, tha ai.
Sipas kryeshefit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Naim Zeqirit, këto pajisje me efiçiencë të lartë do të ndikojnë direkt në reduktimin e kostos për ngrohje të qytetarëve.
“Ne kemi bërë një vlerësim që nga 6 milionë arrijmë të subvencionojmë e vlera e kursimit të energjisë do të jetë 12 milionë. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në fatura të energjisë së personave përfitues, dhe njëkohësisht ata që do të kenë fatin të subvencionohen me kaldaja me biomasë, do të ulë shpenzimin e lëndëve djegëse dukshëm, sepse pajisja është me efiçiencë shumë të lartë”, tha Zeqiri.
Ndërkaq ai bëri të ditur se të gjithë ata që kanë aplikuar me sukses në fazën e parë kanë të drejtë të aplikojnë në fazën e dytë, ku përmes sistemit elektronik E-Kosova ata do të ngarkojnë dokumentet e kërkuara.