Ligji i ri i trafikut rrugor ka ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve në zbatimin e disa rregullave të komunikacionit, por jo edhe në uljen e numrit të aksidenteve. Këtë e tregojnë edhe shifrat e aksidenteve çdo ditë, ku vetëm gjatë 24 orëshit të fundit janë shënuar 24 aksidente.
Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për rregullimin e trafikut rrugor, shoferët e automjeteve po tregohen më të kujdesshëm me vendosjen e rripit të sigurisë. Kështu është shprehur Ramadan Sopjani, polic për rajonin e Prishtinës, për RTKlive.
Sopjani thotë se pothuajse çdo ditë ata përballen me situata urgjente, ndër të cilat më të shpeshta janë aksidentet që ndodhin në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë.
“Sfidat që i hasim gjatë patrullimit janë kundërvajtësit, por sfidat më të mëdha i kemi me aksidentet që zakonisht i kemi në segmentin nga Prishtina në drejtim të Pejës në rrugën nacionale”, u shpreh ai.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, u shpreh se ligji i ri i trafikut rrugor nuk është punuar prej Ekspertëve, në mënyrë që të eliminohen të metat e tij të mëparshme, prandaj ligji, sipas tij, duhet të rishikohet.
“Në bazë të të dhënave që unë i kam, si dhe statistikave të aksidenteve, ligji i ri i për trafikun rrugor nuk e ka përmirësuar fare gjendjen, për shkak se muaji i katërt dhe i pestë kanë paraqitur një numër më të madh të aksidenteve me fatalitete. Edhe niveli i ngritjes së dënimeve nuk është në përputhshmëri me rrogën mesatare të Kosovës”, u shpreh Dedaj.
Tutje Dedaj shtoi se Kosova nuk ka strategji për eliminimin e numrit të aksidenteve, për këtë arsye duhet të krijohet një strategji për sigurinë trafikun rrugor.
“Duhet krijuar një strategji e sigurisë së trafikut rrugor, në mënyrë që të zvogëlohet numri i aksidenteve në 10 vitet e ardhshme për 50%. Strategjia duhet të përfshijë katër shtylla të veçanta: njëra prej tyre është menaxhimi i qarkullimit të automjeteve ose komunikacioni rrugor, pastaj ngritja e nivelit të sigurisë në ndërtimin e rrugëve të sigurta, ngritja e nivelit të automjeteve të moshës më të re, dhe gjithashtu zhvillimi që ndihma e parë e dhënë për personat e aksidentuar të jetë në nivele sa më të larta”, tha Dedaj.
Sipas raportit të 24 orëve të fundit (për ditën e diel, 2 qershor) nga Policia e Kosovës janë shënuar 52 aksidente rrugore, ku prej tyre 21 aksidente trafiku me të lënduar dhe 31 aksidente trafiku me dëme materiale.
Statistikat e publikuara në Byronë e Sigurisë Kosovare (BSK) tregojnë se numri i aksidenteve ndër vite ka shënuar rritje. Në vitin 2020, numri i aksidenteve rrugore ishte 9,601; në vitin 2021 numri ishte rritur në 14,334; në vitin 2022 ishte 14,398 dhe në vitin 2023 numri ka shkuar deri në 16,726.
Sipas BSK-së, numri më i madh i aksidenteve për vitin 2023 ka ndodhur gjatë muajit gusht (1,862), ndërsa komuna me numrin më të madh ka qenë Prishtina me 5,123 aksidente.
Ligji i ri për rregullimin e trafikut rrugor ka hyrë në fuqi më 3 prill të këtij viti. Ky ligj ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së pjesëmarrësve në trafik dhe parasheh masa më të ashpra ndëshkuese për kundërvajtësit.
Një nga ndryshimet kryesore që sjell ky ligj është dënimi për mosvënien e rripit të sigurisë; nga 40 euro është rritur në 150 euro. Për vozitësit që tejkalojnë shpejtësinë në autostrada, dënimi është rritur në 500 euro gjobë, shqiptimi i 5 pikëve negative dhe ndalimi i vozitjes për 6 muaj.
Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes për herë të parë dënohet me 100 euro dhe 1 pikë negative.