Partia në pushtet e Gjeorgjisë është duke i përshkruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare si zgjedhje ekzistenciale: mes luftës dhe paqes.
Për kritikët e Qeverisë, megjithatë, ajo që Qeveria po premton nuk është paqe, por është dorëzim para armikut të tyre, Rusisë.
Para zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit, një reklamë e re e fushatës zgjedhore e partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, vë përballë fotografi bardhezi të Ukrainës së rrënuar nga lufta dhe fotografi me ngjyra të një Gjeorgjie paqësore dhe të begatë.
Një bulevard i mbushur me gërmadha në Ukrainë shfaqet pranë rrugës “Chavchavadze” të rinovuar rishtazi në Tbilisi. Një stadium i bombarduar futbolli në Ukrainë krahasohet me shumë prej arenave sportive të ndërtuara në Gjeorgji gjatë pushtetit të tanishëm. Nën fotografitë nga Ukraina shihet mbishkrimi “Jo Luftë”, ndërsa nën ato nga Gjeorgjia “Zgjedh Paqen”.
Kjo fushatë i ka tronditur shumë gjeorgjianë, të cilët thonë se partia në pushtet po e fajëson Ukrainën pse u pushtua nga Rusia.
“Kurrë nuk kam parë diçka kaq të turpshme, kaq fyese për kulturën, traditat, historinë dhe besimet tona”, shkroi në Facebook presidentja gjeorgjiane, Salome Zourabichvili, e cila është kritike e madhe e Ëndrrës Gjeorgjiane.
Lufta Rusi-Gjeorgji
Trupat ruse e pushtuan Gjeorgjinë gjatë një lufte pesëditore në vitin 2008. Prej atëherë, Moska i ka mbështetur ushtarakisht dhe diplomatikisht autoritetet separatiste në territoret gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore, në atë që gjeorgjianët e quajnë një okupim të territorit të tyre.
Edhe pse udhëheqësit e Ëndrrës Gjeorgjiane rrallëherë përmendin temën e Rusisë shumë haptazi, një nga argumentet e tyre për mandatin e katërt në pushtet, është se ata janë e vetmja parti që mund t’i menaxhojnë marrëdhënien e vështira me fqinjin e tyre verior.
“Më 26 tetor, ne do të vendosim midis luftës dhe paqes”, tha Bidzina Ivanishvili, themeluesi dhe ende udhëheqësi de fakto i Ëndrrës Gjeorgjiane, në një tubim më 8 shtator.
Premtimi për paqe ka qenë në qendër të mesazheve të Ëndrrës Gjeorgjiane dhe Ivanishvilit që nga ardhja e tyre në pushtet pas fitores në zgjedhjet parlamentare në tetor të vitit 2012.
Gjeorgjia pësoi humbje të rëndë në luftën e vitit 2008 për Osetinë Jugore pikërisht nën Qeverinë e mëparshme, të udhëhequr nga presidenti Mikheil Saakashvili.
Qasje e kujdesshme ndaj Rusisë
Një element kyç i mesazhit të fushatës së Ivanishvilit në vitin 2012 ishte ta fajësonte Saakashvilin për nxitjen e pushtimit nga Rusia. Pasi erdhi në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane kërkoi marrëdhënie më pak konfrontuese me Kremlinin, gjë që shumë nga opozita i shihnin praktikisht si proruse.
Narrativi e paqes i Ëndrrës Gjeorgjiane mori vrull pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur udhëheqësit gjeorgjianë adoptuan një qasje shumë të kujdesshme, duke refuzuar ta kritikojnë sulmin e Rusisë dhe shpesh duke u përfshirë në retorikë antiukrainase.
Kievi dhe vende të tjera bënë thirrje që Gjeorgjia ta luante rolin e saj në një luftë më të gjerë kundër Rusisë, duke hapur një “front të dytë” kundër forcave ruse në territoret separatiste gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore.
Me kalimin e kohës, zyrtarët gjeorgjianë i shndërruan ato thirrje sporadike në një konspiracion global, të cilin e quajtën “partia botërore e luftës”, që synonte të zhyste Gjeorgjinë në luftë.
Tani, me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, Ëndrra Gjeorgjiane po u kushton vëmendje edhe më të madhe çështjeve të luftës dhe paqes.
Partia ka lënë të kuptohet se do të jetë në gjendje të rimarrë kontrollin mbi territoret e shkëputura të Abkazisë dhe Osetisë Jugore.
“Ne kemi dy detyra kombëtare: ta kthejmë integritetin territorial dhe ta zhdukim varfërinë në vendin tonë. I gjithë programi ynë është i përqendruar drejt përmbushjes së këtyre dy detyrave kombëtare”, tha kryeministri Irakli Kobakhdize në një ngjarje më 8 tetor për të prezantuar platformën e partisë.
Edhe pse nuk dha hollësi se si do të rimerreshin territoret, ai tha se kjo do të “arrihet pas ndryshimit të situatës politike rajonale”.
Retorika e tillë prek një besim të përhapur – por jorealist, sipas analistëve – midis gjeorgjianëve, se Moska do të heqë dorë nga mbështetja e saj për shtetet separatiste në këmbim që Tbilisi të heqë dorë nga rruga e tij gjeopolitike drejt Perëndimit.
Mbështetja ruse për Ëndrrën Gjeorgjiane
Ivanishvili vetë i ndezi ato thashetheme duke sugjeruar rishtazi se gjeorgjianët duhet t’u kërkojnë falje osetianëve për luftën e vitit 2008 dhe duke lënë të kuptohet se ishin aleatët perëndimorë të Saakashvilit ata që e shtynë atë ta fillonte luftën.
Lëvizja e Bashkuar Kombëtare e Saakashvilit mbetet partia më e madhe opozitare në Gjeorgji.
Ashtu siç Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë të qartë se presin që Ëndrra Gjeorgjiane të humbë, edhe Rusia ka dalë hapur në favor të një fitoreje të partisë në pushtet. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka lavdëruar Qeverinë e Gjeorgjisë pikërisht për hapat që kanë shqetësuar partnerët perëndimorë të Tbilisit, si miratimi i ligjeve për “agjentët e huaj” dhe luftën kundër “propagandës LGBT”.
Megjithatë, deklaratat e Lavrovit mbi lëvizjet e Gjeorgjisë në lidhje me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut kanë qenë më të paqarta. Derisa e lavdëroi ofertën e Ivanishvilit për kërkim falje, më vonë ai i tha ministrit të jashtëm de fakto të Osetisë së Jugut se “vendimet e vitit 2008 nuk do të ndryshojnë”, duke iu referuar njohjes formale nga Moska të pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkazisë atë vit.
Zgjedhjet kanë ngjallur frikën se Rusia mund të ndërhyjë në rast të ndonjë rezultati që nuk i pëlqen, diçka që ajo e ka bërë vazhdimisht në botën post-sovjetike.
“E turpshme” dhe “neveritshme”
Rusia është ajo që vetë e ka ndjellë atë frikë.
Në gusht, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) publikoi një deklaratë duke paralajmëruar se SHBA-ja po përpiqet të provokojë një skenar të tipit “Maidan” në Gjeorgji dhe të vendosë opozitën në pushtet, edhe nëse Ëndrra Gjeorgjiane fiton zgjedhjet.
Pikërisht pas revolucionit Maidan në Ukrainë në vitet 2013-2014, Rusia e aneksoi Krimenë dhe nxiti separatizmin në Ukrainën lindore.
SHBA-ja po përpiqej të mos lejojë që “forcat e shëndetshme, të orientuara kombëtarisht” ta marrin pushtetin në Gjeorgji, tha për gazetarët më 3 tetor kreu i SVR-së, Sergei Naryshkin.
Por, ai shtoi, “jam i sigurt se populli gjeorgjian do ta bëjë zgjedhjen e duhur”.
Kur Ëndrra Gjeorgjiane publikoi reklamën “jo luftë”, Ministria e Jashtme e Ukrainës protestoi, ashtu si edhe ambasadori i BE-së në Gjeorgji, Paëel Herczynski, i cili e quajti reklamën “të turpshme”. “shqetësuese” dhe “të neveritshme”.
Por, tani reklamat janë gjithandej në Tbilisi: në bilboarde, nëpër autobusë dhe në metro. Reklamat televizive, që i vendosin imazhet mbi muzikë dramatike, po shfaqen gjithashtu në kanalet proqeveritare.
Megjithatë, një grup kanalesh proopozitare kanë refuzuar t’i transmetojnë ato.
“Nuk kemi asnjë qëllim të mbështesim, as edhe në mënyrë indirekte, propagandën ruse të Ëndrrës Gjeorgjiane, apo talljen me popullin ukrainas”, thanë kanalet televizive në një deklaratë të përbashkët.