Kërcënimet, komunikimi i papërshtatshëm nga politikanët, dezinformatat, pagat e ulëta, kontratat e punës me afat të shkurtër, mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe sociale, janë disa nga problemet që i përmend Raporti i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2024, me të cilat ballafaqohen gazetarët në Maqedoninë e Veriut.
“Mund të themi realisht, se ajo që theksohet në raportin e Komisionit Evropian është diçka që, në fakt, si kritikë, është përsëritur prej një kohe të gjatë. Kështu që, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale të gazetarëve ndikojnë drejtpërdrejt ndaj cilësisë së gazetarisë dhe të përmbajtjeve gazetareske që ata prodhojnë”, shprehet për Radion Evropa e Lirë, gazetari Bojan Blazhevski nga qyteti i Shkupit.
Sipas Blazhevskit, problemi i njëjtë nuk është vetëm në gazetari, por në të gjithë sektorët e vendit.
“Puna për pagë dhe shpërblimi për mundin që ke dhënë është motivimi bazë”, thotë ai.
Në Raportin e KE-së, në kapitullin “Liria e shprehjes”, thuhet se “Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar, deri në mesatare, sa i përket gatishmërisë, duke bërë përparim të kufizuar në këtë fushë”.
Sipas raportit, gazetarët përballen me status të dobët ekonomik dhe social, i cili shpesh i shtyn drejt vetëcensurës.
“Mangësitë në kushtet e punës për gazetarët ekzistojnë ende, veçanërisht lidhur me kontratat e punës me afat të shkurtër ose të caktuar, pa sigurime shëndetësore dhe sociale të mbuluara, punë jashtë orarit e papaguar dhe paga të ulëta, të cilat së bashku kontribuojnë që të ketë autocensurë dhe ndikim të pronarëve ndaj politikës editoriale”, thuhet në Raportin e KE-së.
Në këtë drejtim, Blazhevski tregon se personalisht, punon si gazetar i pavarur, duke u fokusuar në çështje hulumtuese.
“Nëse thellohemi më shumë në këtë çështje, pagat e ulëta dhe në përgjithësi kushtet e këqija të punës kufizojnë zhvillimin e formave të reja të veprimtarisë gazetareske. Shumica e redaksive dhe gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, kufizohen në atë që quajmë ‘gazetari për klikime’ ose gazetari ditore informuese. Kurse, numri i gazetarëve që merren me gazetari hulumtuese është shumë i vogël”, shpjegon ai.
Kërcënimet dhe sfidat e punës në terren
Raporti thotë se ambienti i favorshëm për gazetarët në Maqedoninë e Veriut është zhdukur, duke i bërë ata të ndihen të pasigurt dhe të kufizuar në punën e tyre. Kurse në rubrikën për mbrojtjen e gazetarëve, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB) ka regjistruar shtatë raste sulmesh ndaj gazetarëve në vitin 2023.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë [SHGM] regjistroi pesë incidente ndaj gazetarëve, ku tre prej tyre përfshinin kërcënime jo fizike dhe ngacmime, ndërsa dy raste përfshinin kërcënime ndaj jetës dhe sigurisë fizike të gazetarëve”, thotë Raporti.
Një nga këto raste, është edhe ai i gazetarit të TV21, Senat Zylbehari, i cili për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë 16 vjetëve të tij si gazetar, është kërcënuar në shumë forma.
“Vetëm para një viti, teksa po raportonim për një djegie të një deponie, e cila ishte thuajse e kundërligjshme, në fushën e Pollogut, një person që u prezantua si pronar i deponisë, jo vetëm që më kërcënoi mua, por edhe të gjithë gazetarët e tjerë, të pranishëm aty. Edhe pse aty ishin forca policore. U detyruam të kërkojmë ndihmën e tyre për t’u mbrojtur”, tregon Zylbehari.
Ai shton se rastet e këtilla dekurajojnë gazetarët.
“Të nesërmen, me të arritur në vendngjarje, pasi zjarri ishte ende aktiv, shoh kolegët që ishin rreth një kilometër larg nga vendi i ngjarjes, pasi kishin frikë të afroheshin. Në koordinim me ta, dhe me mua përpara tentuam të futemi përsëri, kur prapë u përballa me të njëjtin person, në prani të policisë. Kësaj radhe duke na shtyrë edhe fizikisht”, përfundon Zylbehari, duke nënvizuar se nga gjithë ngjarja, i njëjti person u dënua me vetëm 50 euro gjobë, për prishje të qetësisë publike.
Në anën tjetër, Blazhevski thotë se personalisht nuk ka përjetuar sulme apo kërcënime të këtilla, por shton se ka “raste presioni ndaj një pjese të madhe të gazetarëve në vend, që punojnë mbi tema të ndjeshme”.
Gazetarët nën sulmin e gjuhës armiqësore nga politikanët
Raporti i KE-së gjithashtu vëren edhe ekzistencën e armiqësisë së politikanëve ndaj gazetarëve.
“Gazetarët përballen me gjuhë të papërshtatshme nga politikanët dhe personazhe publike”, thuhet në Raport.
Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë së Veriut (KEMM) duke e komentuar Raportin, thotë për Radion Evropa e Lirë se dënon ashpër gjuhën e papërshtatshme të politikanëve dhe personave publikë ndaj gazetarëve.
“Këto deklarata krijojnë një atmosferë mosbesimi dhe frike te punonjësit e mediave, gjë që i dekurajon më tej nga raportimi kritik. Ne vazhdimisht nxisim dhe promovojmë respektin dhe komunikimin e përgjegjshëm në hapësirën publike, me qëllim ruajtjen e integritetit profesional dhe sigurinë së gazetarëve”, thonë nga KEMM për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) njoftojnë se kanë përgatitur një Kod Sjelljeje për hapësirën online, me qëllim “sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe etik për punën e gazetarëve”.
“Kodi shërben si udhëzues për sjellje të mirë për të siguruar integritetin e informacionit gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve, si dhe transparencën e reklamave politike dhe financimit të tyre, më pas përfshin sjelljen e partive politike, kandidatëve të tyre dhe kandidatëve të pavarur, në hapësirën online, të cilët ndër të tjera duhet të përpiqen të përdorin argumente dhe fakte në diskutimet publike, gjuhë të përshtatshme dhe të sjellshme në komunikimin me publikun, dhe të respektojnë qëndrimet dhe mendimet e ndryshme”, thonë nga ASHMAA për Radion Evropa e Lirë.
Kuadri ligjor, ende larg standardeve të BE-së
Në pjesën e kuadrit ligjor, Raporti i KE-së njofton se vendi nuk është plotësisht në përputhje me legjislacionin e BE-së, konkretisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Gjithashtu, si fenomen negativ përmendet kthimi ligjor i reklamave shtetërore në media, nga shkurti 2024.
Sa i përket transmetuesit publik shtetëror, në raport thuhet se Radio Televizioni i Maqedonisë (RTM) është përballur me financime të parregullta nga shteti.
“Ligji për mediat audio dhe audiovizuale [ASHMAA] i korrikut 2023 ka rritur financimin e përgjithshëm, por autoritetet kanë transferuar më pak [para] sesa kërkohet me ligj”.
Nga ASHMAA-ja thonë se për këtë, përgjegjëse është Ministria për Transformim Digjital.
Radio Evropa e Lirë u mundua të kontaktojë këtë ministri, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion.
Ndërkaq, Raporti gjithashtu përmend se sfida ka edhe rreth transparencës në pronësinë e mediave, dhe shton se përdorimi i financave paraqet një lloj kërcënimi për lirinë e shprehjes.