Mbrëmë gjatë natës është raportuar nga qytetarët e Lipjanit se në këtë komunë nuk ka qenë e hapur asnjë barnatore për kujdestari. Respektimi i orarit gjatë natës, sipas tyre, është tejet i rëndësishëm pasi mungojnë edhe ilaçet nëpër qendra të mjekësisë familjare.
Qytetarët e kësaj ane shprehin shqetësimin e tyre sidomos për numrin e vogël të barnatoreve kujdestare gjatë natës. Madje gjatë së dielës në mesnatë, thonë se as ato kujdestare nuk kanë qenë të hapura duke u pa mundësuar qytetarëve blerjen e ilaçeve.
“Gjatë natës ka probleme, gjitha barnatoret nuk e respektojnë orarin e tyre. Para dy jave nuk ka qenë barnatorja e hapur, e kam njoftuar edhe policinë. Secila barnatore e ka orarin se kur duhet të jetë e hapur”, tha për RTK Labinot Kodra, qytetar.
Respektimi i orarit gjatë natës thonë se është tejet i rëndësishëm pasi mungojnë edhe ilaçet nëpër qendra të mjekësisë familjare.
“Mirë do ishte që me qenë tri barnatore gjatë natës sepse edhe në qendra të mjekësisë, mungojnë barnat dhe injeksione”, tha një qytetar tjetër.
RTK ka provuar të këtë edhe një përgjigje nga drejtori i Shëndetësisë në Lipjan, Shkëlzen Hajdini, por ky i fundit ka thënë se nuk ka kohë dhe është shumë i zënë për tu përgjigjur.
Por RTK merr vesh jo zyrtarisht se arsyeja që barnatorja kujdestare nuk ka qenë e hapur gjatë natës të së dielës, ka ndodh si pasojë që nuk është dërguar ende orari i barnatoreve kujdestare për muajin mars nga kjo drejtori.