Në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalya, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një sërë takimesh të ndara me ministra të Jashtëm nga disa vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, me qëllim forcimin e raporteve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit strategjik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, e para e shtetit theksoi se të gjitha takimet ishin të përqendruara në thellim të bashkëpunimit.
“Në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalya, përpos takimeve me homologë, zhvillova takime të ndara edhe me ministrat e Jashtëm të: Sudanit, z. Ali Yousif Ahmed Al-Sharif, Kenias, z. Musalia Mudavadi, Jordanisë, z. Ayman Safadi, të Tanzanisë, z. Mahmoud Thabit Kombo, të Çadit, z. Abdoulaye Sabre Fadoul Cadi dhe të Nigerit, z. Bakary Yaou Sangaré. Të gjitha këto takime ishin të përqendruara në diskutimin e potencialit për thellim të bashkëpunimit në dobi të shteteve dhe qytetarëve tanë. Në veçanti, u diskutua hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha strategjike, si dhe rëndësia e përdorimit të diplomacisë në shërbim të ndërtimit të raporteve të mirëfillta e aleancave të reja”, ka shkruar Osmani.
Tutje presidentja ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një politike të jashtme aktive në shërbim të qytetarëve.