Tryeza u mbajt në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Tokës aty ku u diskutua Raporti i tretë i monitorimit me titull “Procesi i Berlinit në Agjendën e Reformave Evropiane të Kosovës: Angazhimet për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër”.

Violeta Haxholli nga KDI tha se, është analizuar progresi i Kosovës në këtë proces, ku janë identifikuar sfidat në zbatimin e zotimeve nga ana e Kosovës në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal/Digjitalizimit dhe Agjendës së Gjelbër/Dekarbonizimit, ku janë sugjeruar hapa konkret për zbatim efektiv.

Po ashtu në këtë tryezë u përmend që këto komponentë janë pjesë integrale e Agjendës për Reforma Evropiane për Kosovën dhe Planin e Rritjes.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha aty se Kosova ka dëshmuar përkushtim të lartë politik dhe institucional ndaj Procesit të Berlinit, duke qenë sipas saj, një nga vendet më proaktive në rajon duke ratifikuar me efikasitet marrëveshjet përkatëse.

Megjithatë, ajo theksoi sfidat politike që pengojnë zbatimin, si bllokimi nga Serbia në transmisionin e energjisë, që ka sjellë humbje ekonomike për Kosovën por edhe gjithë rajonin.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) Burim Ejupi, theksoi rolin aktiv të shoqërisë civile në Procesin e Berlinit që nga Samiti i Triestes, duke shtyrë agjendën e energjisë së gjelbër dhe transportit të qëndrueshëm.

Ai kritikoi mungesën e progresit të Kosovës në infrastrukturën hekurudhore dhe pengesat politike që vonojnë projektet.

Zëvendës ambasadori Gjerman në Kosovë, Matthias Conrad, tha se Procesi i Berlinit është një kornizë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që ka mbështetjen e vazhdueshme të qeverive gjermane nga kancelarët Angela Merkel tek Olaf Scholz si dhe koalicioni i ri që pritet të formohet.

Në fund, u theksua nevoja për angazhim më të madh në përmbushjen e detyrave që dalin nga procesi i Berlinit dhe koordinim më i madh ndërinstitucional dhe me komunat.