Janë bërë pothuajse tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa institucionet e reja të Kosovës vazhdojnë të mbesin të pakonsoliduara. Përplasjet mes pozitës dhe opozitës po thellohen, duke çuar kështu vendin drejt bllokadës politike. PDK e LDK vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta.

“Një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është procesi i votimit për të zgjedhur kryekuvendarin, të provojë që të ndikojë në procedurat e brendshme të kuvendit e të ndryshojë formën e votimit. Kjo nuk ndodhë në asnjë shtet demokratik dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në Republikën e Kosovës dhe është një precedent i rrezikshëm për mënyrën se si këta e shohin shtetin, e shohin ligjin dhe si e shohin Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Blerta Deliu, deputete e PDK-së.

Armend Zemaj, deputet nga LDK-ja tha se ky është abuzim me pozitën që i ka dhënë Rregullorja e Punës së Kuvendit.

“Është sjellje e papranueshme, në fund të fundit është edhe denigrim edhe i personalitetit të individit, por është një strategji abuzive të cilën po e përdorë LVV-ja për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja”, tha ai.

Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se nëse Vetëvendosje e nxjerrë një figurë unifikuese nesër do të kenë kryetarin ose kryetaren e Kuvendit.

I pyetur nëse do të votonin Glauk Konjufcën po që se do të kandidonte, Haradinaj tha: “Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem, besoj po”, tha ai.

Por, analistët politikë paralajmërojnë pasoja serioze për funksionimin e demokracisë. Zgjidhja, sipas tyre, mund të gjendet vetëm përmes një marrëveshjeje të gjerë ndërpartiake.

“Kryeministri në detyrë nuk po bisedon në mënyrë normale me opozitën e deritashme, mirëpo as opozita e deritashme nuk po bisedon me vetveten. Kështu që ekziston një hapësirë, një hendek shumë i madh në mes të akterëve dhe nuk ka aspak indikacione për normalitet, racionalitet dhe për një vendim i cili do të ishte në përputhje me pritshmëri të qytetarëve duke pasur parasysh edhe krizën e madhe ekonomike e cila çdo ditë e më tej po thellohet”, tha Artan Muhaxhiri, raporton RTKlive.

Për analistin, Arbnor Sadiku,  e vetmja mundësi do të ishte një koalicion i madh, e nëse kjo nuk bëhet, rruga tjetër, sipas tij, janë zgjedhjet..

“E vetmja mundësi do të ishte një koalicion i madh që LDK-ja refuzoi dhe si duket janë vështirësuar gjërat, e vetmja rrugë ka mbetur që me PDK-në të bëhet një koalicion. Nëse kjo nuk bëhet unë nuk po shoh rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Sadiku për RTK-në.

Muhaxhiri e Sadiku nuk e shohin të drejtë votimin e fshehtë të cilin e përkrah Lëvizja “Vetëvendosje”, duke i kujtuar kësaj të fundit që në të kaluarën kërkonte shumë transparencë.