Deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Emma Lewell ka kërkuar sanksione për Serbinë, pas pjesëmarrjes së presidentit Aleksandër Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë të Rusisë më 9 maj.
Ajo nëpërmjet një shkrimi në platformën X, ka njoftuar se kërkesën bashkë me nënshkrimin e deputetëve të tjerë britanikë, ia ka dërguar Sekretarit të Jashtëm, Hon David Lammy, duke kërkuar ndryshim rrënjësor në qasjen shtetërore ndaj shtetit serb.
“26 parlamentarë britanikë, të udhëhequr nga Kryetarja jonë, EmmaLewell, i shkruajnë Sekretarit të Jashtëm DavidLammy duke i kërkuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të fillojë sanksione ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe bashkëpunëtorëve të tij. Mjaft më”, ka shkruar ajo në X.
“Për më shumë, presidenti Vuçiq është përpjekur të destabilizojë Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe rajonin e Ballkanit më gjerësisht, duke punuar ngushtë me Rusinë e Putinit”, thuhet në letër.
Më tej potencohet se Serbia është i vetmi shtet me statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që nuk ka ndërmarrë asnjë sanksion ndaj Rusisë, pavarësisht agresionit që ka ushtruar ndaj Ukrainës. Gjithashtu në këtë kërkesë thuhet se Serbia me pjesëmarrjen e Vuçiqit në këtë ngjarje të Moskës, ka dëshmuar edhe një herë se nuk është e interesuar për prishje raportesh me Rusinë dhe se në mënyrë aktive promovon idetë ultra nacionaliste, përhap ideologjinë e Serbisë së Madhe, duke rrezikuar kështu një luftë të përgjakshme sërish në Ballkan.