Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur dështimin e 16-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës si pengmarrje institucionale.
Ai ka thënë se partia e tij e ka mirëpritur takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe se janë të gatshëm e me vullnet për formimin e institucioneve të reja.
“Ne dëshirojmë të shkojmë para drejt zgjidhjes, zhbllokimit, drejt konstituimit të Kuvendit, hapjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re, e që do të thotë përmes ndërrimit të një kandidati nga LVV që mund ta marrë shumicën”, ka thënë ai.
“Fiks një muaj më parë ne jemi mbledhur këtu në herën e parë, të gatshëm për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe jemi një muaj më vonë, e shumë muaj pas zgjedhjeve, dhe jemi në bllokadën që partia që ka dal e para po vazhdon ta mbajë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë thirrje ndaj Albin Kurtit dhe LVV-së, për ndërrim të kandidatit të kryekuvendarit, duke thënë se asnjëherë nuk do t’i marrë votat e duhura me këtë praktikë.
“Është e pakuptueshme se si mund të jetë, kushdo kandidat, më i rëndësishëm se gati 1 milionë qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Është e pashembulltë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka përmendur sanksionet nën të cilat ndodhet Kosova nga BE, rritjen e çmimeve të energjisë, ndryshimin e raportit me SHBA-të, duke i quajtur si çështje që s’mund të trajtohen përderisa nuk ka institucione të reja.