Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Japoni, ka takuar sot në Tokio kryeministrin e këtij shteti, Shigeru Ishiba.
Presidentja ka treguar se me kreun e qeverisë japoneze kanë folur për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
“Në Tokio, e falënderova Kryeministrin japonez Shigeru Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij për thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe Japonisë. Gjatë takimit, biseduam për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit — vlera që na bashkojnë me Japoninë. Populli i Kosovës është gjithnjë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë, integrimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, shkroi Osmani teksa ka shpërndarë fotografi nga ky takim me kryeministrin e Japonisë.