Sipas Prokurorisë, Simiq dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, i pandehuri S.S., me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria sqaron se sulmi ndaj gazetarëve ka vazhduar “fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni, tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë.”

Ndërkohë, Urosh Vukashinoviq akuzohet për veprat penale “Sulmi” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, pasi, sipas Prokurorisë, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në dhunën ndaj gazetarëve.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

RTK mëson nga burime të besueshme se personat e përfshirë janë Sllavko Simiq dhe Urosh Vukashinoviq.