Policia e Kosovës ka njoftuar dy persona janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, hetuesit rajonal kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve, me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari.
Osmani: Akt i patolerueshëm
Ndaj incidentit në Komunën e Shtërpcës, ku janë plagosur dy të rinj, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një njoftim për media nga Zyra e Presidentes së Kosovës, është thënë se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t’u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, ka thënë Osmani.
Kurti: Thellësisht i brengosur për rastin
Sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë e ka dënuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka shtuar se dy të rinjtë e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë dhe u ka uruar “shërim të shpejtë”
“Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka siguruar të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj “me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”.
Mehaj: I përfshirë një pjesëtar i FSK-së
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në llogarinë etij në Facebook, ka theksuar se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”.
Mehaj ka shprehur “keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë” dhe u ka urruar shërim të shpejtë të plagosurve, duke shtuar se “raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin”.
Bërnabiq: Komuniteti ndërkombëtar të veprojë menjëherë
Ka reaguar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo ka “serbët nuk janë të sigurt në Kosovë” edhe “gjatë vigjiljes së Krishtlindjes Ortodokse”.
“Dënoj fuqishëm këtë krim të lig dhe kërkoj nga komuniteti ndërkombëtar që të veprojë menjëherë për të sjellë para drejtësisë keqbërësin. Ky rast është në radhën e incidenteve të tmerrshme dhe demonstron peshën e kushteve në të cilat jetojnë çdo ditë serbët në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.
Komuniteti ndërkombëtar dënon incidentin në Shtërpcë
Oliver Varhelyi, komisionar i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim është shprehur “i tronditur nga sulmi i sotëm ndaj dy fëmijëve në Shtërpcë”.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për asnjë dhunë. Atyre u uroj shërim të shpejtë. Besoj se një hetim i plotë do të kryhet nga autoritetet e Kosovës”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.
I am shocked by the attack on two children in Shtërpcë today.
There can be no justification for any violence.
I wish them fast recovery!
I trust that full investigation will be carried out by the authorities of #Kosovo. https://t.co/9mTGJGBuiA
— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) January 6, 2023
Shqetësimin lidhur me rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë e ka shprehur edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
“U shqetësova kur dëgjova për sulmin ndaj dy të rinjve serbë të Kosovës dhe mirëpres arrestimin e shpejt të të dyshuarit. Të plagosurve u uroj shërbim të shpejtë”, ka shkruar Abbott në Twitter.
I was concerned to hear of an assault on two young Kosovo Serbs and welcome the quick arrest of a suspect.
I wish them a speedy recovery. https://t.co/gwiSQnTPV8
— Nicholas Abbott (@nickabbottfcdo) January 6, 2023
Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, dënoi të shtënat në Shtërpcë dhe të plagosurve u uroi shërbim të shpejtë.
“Mirëpresim reagimin e menjëhershëm nga Policia e Kosovës”, shkroi ai në Twitter.
I condemn the attack on two young boys near Strpce today and I wish them a speedy recovery. We welcome the swift reaction of the @Kosovo_Police.
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) January 6, 2023
Lidhur me rastin e plagosjes së dy personave në Komunën e Shtërpcës ka reaguar edhe misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Dënojmë fuqishëm të shtënat nga një makinë në lëvizje afër Shtërpcës më herët gjatë ditës së sotme, ku dy persona u plagosën. Reagimi i shpejtë i Policisë së Kosovës për të arrestuar të dyshuarin është i mirëseardhur dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e OSBE-së në Twitter.
Ky mision ka shtuar se për aktet e tilla të dhunës “duhet të ketë zero tolerancë”.
1/2
We condemn in the strongest terms the drive-by shooting near Štrpce/Shtërpce earlier today, in which two people were injured. Swift Kosovo Police action in arresting an alleged perpetrator is welcome and must be followed up by those responsible being brought to justice.
— OSCE Kosovo (@OSCEKosovo) January 6, 2023
Policia e Kosovës, gjithashtu ka njoftuar se dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë dërguar me ambulancë për tretman të mëtejmë mjekësor në Graçanicë.
Sipas informacioneve të policisë, të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.