“Siç u pa, përveç që kishim humbur 48 seanca rresht për shkak të shkeljes kushtetuese, tani të konfirmuar dy herë. Ne kemi në thelb të problemit mungesën e shumicës politike. Pra, nuk ka numra partia që ka dalë e para në këto zgjedhje dhe refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera. Rrjedhimisht, bën bllokadë institucionale”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka theksuar se qëndrimet e LDK-së nga dita e parë, deri më sot e deri në ditën tjetër, do të mbesin të njëjta e të pandryshueshme.

“LDK-ja nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Si e tillë, nuk mund të mbështesë kandidatë që s’ka marrëveshje politike dhe nuk dëshiron që të ketë marrëveshje politike në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se ndonëse kanë kaluar 192 ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë ende ballafaqohemi me mungesë të institucioneve, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë vullneti për të konstituuar Kuvendin.

“Fatkeqësisht prapë edhe një seancë pa rezultat. Edhe pas një aktgjykimi tjetër jashtëzakonisht të qartë dhe eksplicit Lëvizja Vetëvendosje nuk ka as interesim dhe as interes për të konstituuar Kuvendin. Sot propozuan dy kandidate për të cilat paraprakisht dihej se nuk i kishin votat. Znj. Haxhiu ka provuar dhe është vendosur në votim të hapur 6 herë para ditës së sotme, ndërkohë që e kanë pasur jashtëzakonisht të qartë se nuk ka vota as për znj. Gërvalla sepse edhe partitë politike që kanë shprehur dëshirën të votojnë pa marrëveshje kanë treguar se cilët janë kandidatët të cilët në asnjë mënyrë nuk do t’i votojnë dhe znj. Gërvalla bën pjesë në grupin e këtyre kandidatëve”, ka thënë ajo.

Sipas Gërvallës është fatkeqësi që, ne, sot nuk kemi institucione, derisa ka akuzuar Vetëvendosjen për uzurpim të zyrave të ekzekutivit.

“Zyrat e Qeverisë së Kosovës janë të uzurpuara nga njerëz të cilët nuk kanë legjitimitet sepse janë aty jashtë mandatit të cilin u ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës. Vendimet të cilat po merren qoftë me ndarje buxhetore qoftë me emërime janë të gjitha joligjore”, ka shtuar ajo.

Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me 17 kallëzime penale të cilat LDK i ka dorëzuar.

“Përfundimisht mendojmë se LVV do të reflektojë dhe do të konstituojë Kuvendin e Kosovës vetëm pasi që ata të largohen nga zyrat të cilat janë duke i mbajtur të uzurpuara”, ka thënë Bajrami.

Ajo edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se LDK nëse nuk është pjesë e një marrëveshje politike, e gjë që sipas saj  është faktike që nuk janë dhe nuk kanë dashur të hyjnë në kombinime dhe koalicione me LVV-në, nuk ka votë për kandidatët e LVV-së për kryeparlamentar.

Megjithatë, sipas saj, ka parti politike parlamentare të cilat kanë dhënë alternativat e tyre dhe, sipas Bajramit, janë diku rreth 30 deputetë të LVV-së, të cilët do t’i merrnin votat e partive tjera politike për kryeparlamentar.

“Pra nuk është çështja e numrave, e një apo dy votave, por çështja është se partia e parë nuk ka vullnet për konstituim të Kuvendit”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.