“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla, dhe ne nuk e propozuam rastësisht. Donika Gërvalla është së pari gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe besoj që kjo duhet të ketë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat. Ajo është zëvendëskryeministre dhe një person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën kemi pasur një partneritet të shkëlqyer dhe bashkëpunim tepër të mirë. Për ne kjo ka shumë rëndësi, siç kanë përmendur edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, dhe ne menduam se ky propozim do të kalojë. Mirëpo, ja që opozita nuk dëshiron të ndryshojë qëndrimin. Besoj që, kurdo që të ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme, ata do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu tha se “nuk ka qenë problem emri i saj”.

“Problemi është me Vetëvendosjen, pra me opozitën së bashku me Listën Serbe, sepse edhe sot një herë u dëshmua se PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe janë bashkë. Ata vazhdimisht kanë qenë bashkë, dhe sot u konfirmua sërish bashkëpunimi i tyre”, shtoi Haxhiu.

“Problemi është me VV-në, pra me opozitën bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua se PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe janë bashkë. Ata vazhdimisht kanë qenë bashkë, dhe sot u dëshmua sërish që janë bashkë”, shtoi Haxhiu.

 

Edhe Hekuran Murati nga VV ka thënë se partitë opozitare, pavarësisht ndërrimit të kandidatit për kryekuvendar, sipas tij, po vazhdojnë me “taktikat bllokuese” për konstituimin e institucioneve të reja.

“E patë që, përkundër që u ndërrua kandidati, Donika Gërvalla mori votat e njëjta si Albulena Haxhiu. Asnjë votë nuk ndryshoi, pavarësisht kandidatit. Kjo është dëshmia që kemi të bëjmë me taktika bllokuese ndaj Kuvendit”, ka thënë Murati.

“Në Kosovë janë dy blloqe: njëri me 57 vota që kanë dalë nga këto zgjedhje, LVV, Guxo, Alternativa dhe partitë jo-shumicë jo-serbe, duke përfshirë edhe Nenad Rashiq. Në anën tjetër është blloku tjetër – PDK, LDK, AAK, Lista Serbe – me 56 deputetë, që janë të interesuar ta mbajnë të bllokuar Kuvendin. Çdo gjë tjetër që ka ndodhur ndërmjet janë makinacione që tentojnë ta vjedhin vullnetin e popullit”, ka thënë ai.