Kostoja e lartë e prodhimit për shkak të fragmetizimit të tokës bujqësore, standardet e cilësisë dhe informaliteti i shitjeve konsiderohen arsyet kryesore pse eksportet e vajit të ullirit vendas janë të ulëta, sipas studimit të vitit 2021 “Për sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit” të ekspertëve Drini Imami dhe Luciano Leonetti.
Në vitin 2022 pati mbiprodhim të vajit të ullirit, por shitjet e larta e informale brenda vendit dhe mungesa e tregjeve eksportuese rrezikon të demotivojë fermerët për të mos i shërbyer më kësaj kulture bujqësore.
Sipas studimit vlerësohet se janë rreth 70,000 – 100,000 fermerë të përfshirë në kultivimin e ullirit.
Sipas statistikave të fundit të mbledhura nga anketa me stafin e ekstensionit bujqësor të MBZHR-së, janë rreth 9,000 fermerë që kanë 1 deri 2 ha dhe 2,500 fermerë që kanë mbi 2 ha. Pra, vetëm një pjesë e vogël e fermerëve që angazhohen në prodhimin e ullirit (10%-15% e totalit) mund ta konsiderojnë atë si një aktivitet të rëndësishëm.
Nga ana tjetër, importet mbeten të larta (pothuajse 1 milion litra) dhe luhaten nga viti në vit, në varësi të prodhimit vendas. Në vitet e fundit, sipas statistikave të UNSTAT-it, më pak se gjysma e vlerës së importit përbëhej nga vaj ulliri i virgjër ose ekstra i virgjër. Pra gjysma tjetër përbëhej nga lloji tjetër (cilësi më i ulët) i vajit të ullirit.
Për shembull, në 2017, u raportua importi i 138 ton vaj ulliri të virgjër dhe ekstra të virgjër (HS 150910) me një çmim mesatar prej 5.19 USD/litër, ndërsa importi i vajit të ullirit tjetër (jo të virgjër) (HS 150990) ishte 665 tonë me çmim mesatar 4.29 USD/litër. Në vitin 2019 shumica e importeve të vajit të ullirit u morën nga Italia (vendi i parë/partneri më i madh për importin e vajit të ullirit për Shqipërinë) dhe Greqia (e dyta), më shumë se 90% e importeve së bashku”, citohet në studim.
Përveç shitjeve të brendshme informale, në studimin “Për sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit” theksohet për zhvillimin informal të importit dhe eksporteve nga banorët e zonave kufitare si Greqia apo dhe Italia që kanë prodhim të lartë të ullirit.
“Është e zakonshme që punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi të vjelin ullinj kundrejt një tarife, si 50% e prodhimit. Disa prej tyre sjellin vaj ulliri me mjete të ndryshme në Shqipëri, përfshirë këtu edhe autobusë, që më pas shiten në tregun e brendshëm.
Nga ana tjetër, është raportuar edhe eksport joformal i vajit të ullirit. Emigrantët që vizitojnë rregullisht Shqipërinë (p.sh. blejnë sasi vaj ulliri për të gjithë vitin, apo edhe për më shumë duke qenë se shumë udhëtojnë me makinat e tyre), ka pasur edhe raste të eksportit/transportit të rregullt informal të vajit të ullirit në Itali nga ndërmjetës shqiptarë (nëpërmjet detit Adriatik). Me të mbërritur në Itali, ajo u shitet joformalisht komuniteteve shqiptare përmes rrjeteve (joformale)”.
Studiuesit rekomandojnë se aktorët e industrisë së vajit të ullirit duhet të synojnë tregun vendas, pasi ka mundësi për rritjen e kërkesës.
Për vitet 2009-2021 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tendenca e prodhimit të vajit të ullirit ishte e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 ton vaj ulliri. Krahasuar me 2011 prodhimi u rrit 50%. Në 2013 prodhimi shënoi rënie 23%.
Për periudhën 2009-2019 tendenca e prodhimit serish shfaqet e luhatshme. Në 2019 janë prodhuar 20 mijë ton vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë prodhimi pësoi rritje të lehtë në 2%.
Për vitin 2021 prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020. Për 2022 ministria e Bujqësisë parashikoi që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se në 2021./monitor