Presidentja Vjosa Osmani ka dënuar plagosjen dhe rrëmbimin e qytetarit serb në territorin e Kosovës nga xhandarmëria serbe, duke e cilësuar këtë akt si një shfaqje të qasjes hegjemoniste të Serbisë dhe duke kërkuar ndërhyrje nga bota demokratike.
Osmani ka deklaruar se këto sulme të Serbisë kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajon. Ajo ka theksuar se që bota demokratike të reagojë e skena politike e vendit të flasë me një zë për mbrojtjen e Kosovës.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, ka shkruar Osmani.

        
        
        
        
        
        

