Komisioni Evropian ka nisur një konsultim me palët e interesuara për të mbështetur zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Ligjin për Inteligjencën Artificiale (AI Act), lidhur me respektimin e të drejtave të autorit nga modelet e inteligjencës artificiale, sipas https://digital-strategy.ec.europa.eu/.
Konsultimi ka për qëllim të ndihmojë në përcaktimin e mënyrave teknike përmes të cilave autorët dhe mbajtësit e të drejtave mund të shprehin rezervimin e të drejtave të tyre, duke mos lejuar që veprat e mbrojtura të përdoren për trajnimin ose funksionimin e modeleve të AI-së.
Në kuadër të kësaj nisme, Komisioni i referohet Kodit të Praktikës për Modelet e Inteligjencës Artificiale me Qëllim të Përgjithshëm (GPAI Code of Practice), i cili është miratuar si një mjet i vlefshëm për të treguar përputhshmërinë me kërkesat e AI Act.
Seksioni për të drejtën e autorit në këtë Kod parashikon që ofruesit e IA-së të vendosin politika për respektimin e rregullave të BE-së për copyright-in.
Kodi përfshin gjithashtu angazhimin e nënshkruesve për të identifikuar dhe respektuar protokolle të lexueshme nga makinat, që shërbejnë për të shprehur moslejimin e përdorimit të përmbajtjeve nga inteligjenca artificiale, duke përfshirë edhe standardin e njohur robots.txt dhe versionet e tij të mëvonshme.
Për të mbështetur zbatimin praktik të këtyre detyrimeve, Komisioni ka nisur një proces për të arritur një dakordësi të përgjithshme mbi protokollet teknike që konsiderohen bashkëkohore, të zbatueshme dhe të përdorura gjerësisht nga sektorët kulturorë dhe krijues.
Ky proces do të zhvillohet me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) dhe me përfshirjen aktive të grupeve përkatëse të interesit.
Në fazën e parë, konsultimi u drejtohet mbajtësve të të drejtave, ofruesve të IA-së, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve të standardizimit dhe aktorëve të tjerë, të cilët ftohen të japin mendimet e tyre mbi mundësitë teknike dhe nivelin e përdorimit të zgjidhjeve ekzistuese për moslejimin e përdorimit të materialeve për qëllime të analizës së të dhënave dhe tekstit (Text and Data Mining – TDM). Këto zgjidhje janë identifikuar më herët në një studim të EUIPO-s mbi inteligjencën artificiale gjeneruese nga perspektiva e së drejtës së autorit.
Në fazën e dytë, palët e interesuara ftohen të shprehin gatishmërinë për të marrë pjesë në punëtori të posaçme, ku do të diskutohen protokollet që ofruesit e IA-së duhet të respektojnë sipas AI Act. Komisioni do të lehtësojë dialogun mes palëve me synimin për të hartuar një listë të përbashkët të protokolleve të pranuara. Nënshkruesit e Kodit të Praktikës do të ftohen automatikisht në këto takime.
Pas përfundimit të diskutimeve, Komisioni Evropian do të publikojë një listë zyrtare të zgjidhjeve teknike të dakorduara, e cila do të rishikohet rregullisht, të paktën çdo dy vjet, në përputhje me përditësimet e Kodit të Praktikës.
Ndërkohë, më 9 dhjetor 2025, Komisioni organizoi një sesion informues online për palët e interesuara, ku do të prezantohet qëllimi, struktura dhe rezultatet e pritshme të procesit, si dhe zgjidhjet teknike të identifikuara në studimin e EUIPO-s.
Nisma synon të garantojë një ekuilibër mes zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit, duke ofruar qartësi ligjore për ofruesit e IA-së dhe më shumë kontroll për krijuesit e përmbajtjes në Bashkimin Evropian.




