Nëntë të porsalindur vdiqën gjatë festave të Vitit të Ri në një maternitet në qytetin Novokuznetsk në rajonin e Kemerovës, konfirmoi ministri rajonal i shëndetësisë Andrei Tarasov.
“Aktualisht po hetojmë rrethanat e këtij rasti. Një komision i ministrisë së shëndetësisë ishte në terren për të vlerësuar situatën dhe për t’u siguruar që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri. Do të publikojmë informacion zyrtar sapo të përfundojë hetimi”, tha Tarasov.
Materniteti mbyllet përkohësisht
Më herët, u raportua se të paktën gjashtë të porsalindur kishin vdekur në një nga dy maternitetet në Novokuznetsk. Sot, materniteti njoftoi se po mbyllej përkohësisht për shkak të situatës epidemiologjike lokale dhe rritjes së numrit të infeksioneve të frymëmarrjes.
Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit dhe Mirëqenies së Njeriut (organi mbikëqyrës sanitar dhe epidemiologjik i Rusisë) dhe Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen në Kujdesin Shëndetësor (organi mbikëqyrës shëndetësor) kanë inspektuar tashmë maternitetin për të përcaktuar nëse institucioni “ka respektuar ligjet në fushën e kujdesit shëndetësor, mbrojtjen e të drejtave të të miturve dhe normat dhe kërkesat epidemiologjike”.
Pas inspektimit, hetuesit vendas hapën një hetim penal sipas nenit 293 të Kodit Penal të Rusisë, i cili lidhet me sjelljen neglizhente.




