Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Davos të Zvicrës ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen.
Trump: Konfliktet në Gaza tani janë “zjarre të vogla”
Gjatë fjalimit të tij, Trump foli edhe për Gazën, për të cilën thotë se aty filloi plani për Bordin e Paqes.
Një marrëveshje paqeje u arrit më herët këtë vit, që përfshinte shkëmbimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.
Trump tha se lufta në Gaza “po shkon vërtet drejt fundit”dhe se konflikti tani përbëhet nga “zjarre të vogla” që, sipas tij, mund të shuhen lehtë.
Hamasi “ndoshta do” të bëjë atë që premton, tha Trump. “Ata duhet të heqin dorë nga armët e tyre dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të jetë fundi i tyre.”
Presidenti amerikan thotë se do të punojë me OKB-në pavarësisht kritikave të përsëritura ndaj saj
Trump thotë se sapo të formohet Bordi i Paqes, “ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam”, duke shtuar se do të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.
Pavarësisht kritikave të tij të përsëritura ndaj këtij institucioni ndërkombëtar, ai thotë se ka “potencial të jashtëzakonshëm” në OKB.
Trump thotë se bashkimi i përpjekjeve të Bordit të Paqes dhe OKB-së është “diçka shumë, shumë unike për botën” dhe “hapi i parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme”.
Trump i kthen komentet e tij sërish te Bordi i Paqes, duke pretenduar se ai ka potencialin të jetë “një nga organet më pasojore të krijuara ndonjëherë”, duke shtuar se është “i nderuar” të jetë kryetar i tij.
Lajm në përditësim
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar dhjetëra udhëheqës botërorë që t’i bashkohen nismës së tij Bordi i Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale, por diplomatët thonë se ajo mund të dëmtojë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë ai e bëri të qartë se mandati i bordit do të zgjerohej përtej Gazës, për të trajtuar edhe konflikte të tjera në mbarë botën.
Presidenti amerikan do të jetë kryetari i parë i bordit dhe, sipas një kopjeje të draft-kartës të parë nga Reuters, bordi do të ketë për detyrë promovimin e paqes në botë dhe punën për zgjidhjen e konflikteve.
Sipas kartës, shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve kur paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm.
Mes tyre janë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarë të NATO-s, Turqia dhe Hungaria – udhëheqësit nacionalistë të të cilave kanë kultivuar lidhje të mira personale me Trump-in – kanë rënë gjithashtu dakord të marrin pjesë, ashtu si edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguaji dhe Vietnami.



