Më 12 tetor do t’i drejtohet Kryeministri Edi Rama, Këshillit të Evropës, për raportin e Dick Marty, në lidhje akuzat e trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty për trafik organesh nga drejtuesit e UÇK. Rezoluta kundër Dick Marty më pas iu përcoll Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës duke i kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare që të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për udhëheqësit e UÇK-së.
Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Kryeministri Rama i mëshoi faktit që raporti është i mbështetur nga Rusia dhe zëdhënës rusë. Pas miratimit të rezolutës në parlament, Ministria e jashtme ruse reagoi përmes një statusi në Twitter duke deklaruar se nuk ndryshon në qëndrimin e saj ndaj akuzave të ngritura, dhe se personat e përfshirë në trafikun e organeve duhet të dënohen ashpër. Sipas saj vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për miratimin e rezolutës kundër raportit të Dick Marty është i gabuar.
“Parlamenti shqiptar miratoi një rezolutë që kundërshton akuzat në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë dhe Shqipëri. Ne mbetemi të vendosur në qëndrimin tonë se personat e përfshirë në këto krime duhet të përballen me një dënim të ashpër dhe të drejtë.”