Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë tha të hënën se institucionet e Kosovës po dëshmojnë përkushtim në ndjekjen e veprave penale të terrorizmit, por sfidë mbetet mungesa e transparencës në mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.
Ky është një nga përfundimet e një raporti të kësaj organizate me titull “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale të Kosovës”, që vlerëson punën e këtyre institucioneve gjatë vëzhgimit të 220 seancave gjyqësore në 54 raste të lidhura me terrorizmin, në periudhën mes viteve 2018 dhe 2020.
Një nga autoret e këtij raporti, Kirsty Brimelow, tha se me gjithë përkushtimin e institucioneve të rendit dhe ligjit në luftën kundër terrorizmit, brenda tyre mungon transparenca në lidhje me vendimet e tyre.
“Vazhdon të ketë mungesë të transparencës për qartësinë e provave që mbështesin ngritjen e aktakuzave, dhe me qartësi të pamjaftueshme se cilat elemente të veprës penale janë duke u zbatuar. Paraburgimi caktohet në mënyrë rutinore përpara se të dorëzohet ndonjë provë në bazë të aktakuzës, dhe aktgjykimeve të shqiptuara nga gjykatat për shpalljen fajtor dhe dënimin u mungon transparenca dhe arsyetimi i hollësishëm mbi elementet e veprës penale dhe barra e provës që është zbatuar, analiza e provave dhe veçoritë e të pandehurit”, tha ajo.
Sipas raportit, institucionet e rendit dhe drejtësisë përballen me mangësi në gjetjen e provave mbi të cilat mbështeten aktakuzat dhe mangësi në arsyetimin për përdorimin e paraburgimit në pritje të gjykimit. Raporti bën thirrje që t’u kushtohet më tepër vëmendje lidhjeve ndërmjet rasteve individuale dhe grupeve terroriste, dhe që policia dhe prokurorët të përdorin mundësitë për të mbledhur informata nga të dyshuarit ose personat e dënuar.
Shefi i misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Ambasadori Michael Davenport, tha se në cdo ndjekje në rastet e terrorizmit duhet të respektohet të drejtat e njeriut.
“Rreziku nga terrorizimi ndryshon vazhdimisht dhe se bashkë me të duhet të ndryshoj edhe përgjigja, ndjekja e hetimit, ndjekja penale dhe gjykimi që janë vendimtare. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe t’u përgjigjemi sfidave, por gjithmonë të kujtojmë se reagimi ynë duhet të respektojë të drejtat themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
Afrim Shefkiu nga Zyra e Prokurorisë së Posaçme tha se të gjitha rastet që lidhen me terrorizëm trajtohen sipas ligjeve të Kosovës dhe Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.
“Veprat penale kundër terrorizmit janë specifike veçmas veprat penale të përgatitjes së akteve terroriste, aty nuk ka kompromis sepse këta veprojnë me bashkëlidhje, bashkëndërlidhje dhe bashkëveprim dhe se mjafton një shkëndijë apo një dhënie të informacionit të dështoj rasti plotësisht”, tha zoti Shefkiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se bashkëpunimi ndër institucional është çelësi i suksesit në përballjen me këtë dukuri dhe se sipas saj institucionet mbetën të përkushtuara në luftimin dhe parandalimin e rasteve apo veprave të terrorizmit.
Raporti thekson se legjislacioni i Kosovës kundër terrorizmit është përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, por ligji për parandalimin e pastrimit të parasë dhe luftimin e financimit të terrorizmit duhet të ndryshohet dhe të harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kosova është përballur me raste të shumta të radikalizmit dhe disa qindra qytetarë të saj janë bashkuar me organizata ekstremiste në luftën e Sirisë.