Pamjet e një treni rus që transportonte pajisje të armëve bërthamore mbeten një shkak për shqetësim, thonë ekspertët ushtarakë. Megjithatë, ajo që është padyshim shqetësuese është lëvizja e Poseidonit të fuqishëm – një anije nënujore pa pilot që mund të armatoset me një kokë bërthamore, shkruan Kosovatimes.
Treni është filmuar diku në Rusinë qendrore, që dyshohet se shkon drejt Ukrainës, dhe pajisjet e filmuara i përkasin departamentit të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse që merret me ruajtjen, mirëmbajtjen, transportin dhe sigurimin e armëve bërthamore, shpjegoi eksperti ushtarak Konrad Muzika.
Një ekspert ushtarak, megjithatë, ofron tre arsye të mundshme pse një tren me ngarkesë të rrezikshme po “lëviz” në provincën ruse.
“Arsyeja e parë është se Putini dëshiron t’i tregojë Perëndimit se situata në Ukrainë definitivisht është përshkallëzuar. Dy arsyet e tjera janë shumë më realiste. Vjeshta është koha e zakonshme për stërvitjet e Forcave Raketore Strategjike të njësive ruse, kështu që ata ndoshta transferojnë pajisjet në vendin e stërvitjes. Nuk duhet të anashkalojmë stërvitjen ushtarake “Grom”, e cila zhvillohet në tetor dhe “treni bërthamor” është vetëm një pjesë e atyre stërvitjeve”, sqaroi Muzika.
Analistët ndërkombëtarë, megjithatë, sugjerojnë se ka më shumë gjasa që presidenti rus Vladimir Putin të demonstrojë gatishmërinë e tij për të arritur armët bërthamore në Detin e Zi. Një burim i lartë i mbrojtjes pohon se çdo përdorim i armëve bërthamore është një rrezik i madh sepse diçka gjithmonë mund të shkojë keq.
“Mund të ketë një shkrepje të gabuar dhe një kokë bërthamore mund të godasë një qytet rus pranë kufirit ukrainas-rus si Belgorod.” (Putinit) atëherë do të duhet të rrisë intensitetin e konfliktit”, tha ai për mediat perëndimore.
Burimet thanë se Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) u dërgoi një raport shteteve anëtare dhe aleatëve të tjerë duke thënë se Rusia pritet të testojë anijen e saj nënujore pa pilot Poseidon që mund të armatoset me një kokë bërthamore. Ndërsa zyrtarët amerikanë po përgatisin një përgjigje, NATO thuhet se ka vënë në dukje se nëndetësja bërthamore ruse K-329 Belgorod po shkon drejt Arktikut.
Çfarë është Poseidoni i fuqishëm
Poseidoni, i cili është quajtur “arma e apokalipsit”, mund të gjuhet edhe nga një nëndetëse. Sipas gazetës italiane La Republica, Poseidoni do të testohet në Detin Kara, në veri të Rusisë. Poseidoni është rreth 24 metra i gjatë, dhe diapazoni i tij është të paktën 10 mijë kilometra.
Poseidoni është një nga gjashtë armët e reja strategjike ruse të shpallura nga presidenti rus Vladimir Putin më 1 mars 2018. /Kosovatimes/