Këshilli i Ministrave të Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratoi sot në lexim të parë tekstin e vendimit për udhëtim pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Marija Malmer Stenergaard , ministrja e migracionit e Suedisë, vendi që aktualisht mban presidencën e BE-së, tha se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin e migracionit dhe për të harmonizuar politikën e vizave me politikën e BE-së.
“Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”, tha ministri Stenergrad.
Në një deklaratë të Këshillit të Bashkimit Evropian thuhet se rregullat e reja do t’u lejojnë mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.
“Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të bëhet funksional ose nga 1 janari 2024, cilido që të vijë më parë,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhen, thotë Anatolia.
Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave me vendet e BE-së, të cilat janë në zonën Shengen.
Këtë vendim zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Me votimin unanim dhe miratimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkojmë drejt fazave të fundit dhe përfundimit të procesit”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Ai ka thënë se procedurat e mbetura janë miratimi nga Parlamenti Evropian, nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së.
“Presim që këto hapa të përfundojnë zyrtarisht brenda pjesës së parë të këtij viti. Pritja e gjatë po shkon hap pas hapi drejt fundit, ku qytetarët do mund të lëvizin pa viza nga 1 janari 2024”, ka thënë Bislimi.