“Arena sport”, që transmetohet nga disa operatorë kabllorë në Kosovë, të shtunën ka transmetuar pamje kërcënues në disa programe sportive, që ndërlidhet me rastin e sulmit terrorist në Banjskë në Zveçan.
Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, në një postin në Facebook, ka thënë se mbrëmë është njoftuar, nga qytetarë të shumtë, për këtë shpërndarje edhe në transmetuesit e licencuar nga KPM.
Mehmeti ka premtuar se nesër do të analizohen gjetjet e këtyre shpërndarjeve, kurse të martën vendosin për rastin në mbledhjen e Komisioni.
“Mbrëmë jemi lajmëruar nga qytetarë të shumtë se disa nga operatorët e shpërndarjes që janë të licencuar nga KPM po transmetojnë në platformat e tyre video mesazhe kërcënuese për rendin dhe sigurinë kombëtare. Sot kemi filluar menjëherë me mbledhjen e provave. Nesër i analizojmë gjetjet kurse të martën vendosim për rastin në mbledhjen e Komisioni”, shkruan Mehmeti.
Në pamjet e prezantuara që janë transmetuar nga disa operatorë kabllorë në Kosovë, u bëhen lëvdata sulmuesve terroristë që u vranë në aksionin e Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit të më 24 shtator, ku në sulmin kriminel u vra rreshteri, Afrim Bunjaku.
Pamjet tregojnë Manastirin e Banjskës dhe datën e 24 shtatorit, kur ndodhi sulmi terroristë.