Viteve të fundit në Kosovë është rritur numri i aksidenteve në komunikacion, e që në shumë raste po përfundojnë me fatalitet.
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 1 mijë e 712 aksidente.
Sipas ekspertëve të komunikacionit shkaktar kryesor i aksidenteve është mungesa e sinjalizimit. Nol Dedaj i tha Radio Kosovës se mungesa e sinjalizimit po rrit mundësinë e shkaktimit të aksidenteve deri në 60 për qind.
“Shumica e shenjave të komunikacionit ekzistojnë në vend por se janë në kundërshtim me rregullat e qarkullimit. Pastaj ekzistojnë shenja të tjera që janë të deformuara pasi u ka humb ngjyra dhe ne i konsiderojmë që nuk janë valide dhe nuk ua japin mesazhin drejtuesit të automjetit. Mungesa e sinjalizimit në rrugët e kategorisë së parë: në autoudhë, në rrugët nacionale dhe regjionale ka mangësi deri në 40 për qind të sinjalizimit. Prandaj, unë them se kjo situatë rrit mundësinë 50 deri në 60 për qind të shkaktohet aksidenti”, ka thënë Dedaj
Sipas Dedajt, faktor tjetër është edhe mungesa e ndriçimit në rrugë.
“Duhet pasur parasysh se në çdo kryqëzim të rrugës duhet të ketë ndriçim të qartë. Te rrugët nacionale dhe tek autoudhat që janë me dy shirita të qarkullimit me një drejtim, të gjitha kryqëzimet e rrugës që kryqëzohen më rrugë të kategorive më të ulëta, duhet të jenë të ndriçuara. Kështu drejtuesit e automjeteve marrin informacionet e duhura për drejtimin e lëvizjes dhe rreshtimit”, ka thënë ai.
Në lidhje më këtë çështje, Ministria e Infrastrukturës në një përgjigjeje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se janë duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.
“Të gjitha rrugë janë duke u pajisur me sinjalistikë përkatëse që rrit nivelin e sigurisë rrugore. Ne, si ministri, jemi duke krijuar politika që siguria rrugore të jetë në nivelin e duhur pasi që jemi dëshmitarë se çdo ditë nëpër rrugët tona po pësojnë qytetarët tanë dhe po shkaktohen humbje të mëdha materiale. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Strategjinë Multimodale 2023-2030, ku Siguria rrugore është përfshirë si Strategji Sektoriale, në të cilën janë paraparë veprimet për zvogëlimin e numrit të aksidenteve”, thuhet nga Ministria.
Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke bërë thirrje që shoferët t’i respektojnë rregullat në trafik.