Banorët e fshatit Kosinë të Ferizajt nuk po mund ta zgjidhin problemin me ujërat e zeza dhe atmosferike. Komuna ka vendosur një sistem pompimi, por në kompaninë “Bifurkacioni” thonë se ky sistem ka dështuar.
Fshati Kosinë i Ferizajt po ballafaqohet me problemin e ujërave të zeza dhe atyre atmosferike që kanë dalë mbi sipërfaqe.
“Gjendja e kanalizimit është katastrofë. Rezervarin që e kanë ndërtuar atje gjoja për mbledhjen e ndyrësirave, i ka shkatërruar qe 10 vjet livadhet tona. Kush bari nuk ka mundur me marr prej ujit e prej erës që i vije e që gjatë verës. Edhe këtu në katund dëgjohet era e keqe”, tha Rexhep Abazi, banor i fshatit Kosinë.
Edhe Hysen Reshani, përfaqësues i fshatit tha se problematika e këtij vendi është se këtu po grumbullohet kanalizimi i fshatit.
“Po grumbullohen ujërat e zeza dhe po na shkakton probleme me kanalizim. Kështu që e kisha lutë edhe komunën edhe Bifurkacionin që vijën dhe ta pastrojnë, të bëjë zgjidhje për këtë problem që është shkaktuar në fshatin Kosinë”, tha Reshani.
Në Kompaninë Bifurkacioni thonë se problemi në këtë fshat është për shkak të dështimit të stacionit të pompave.
“Ky është një projekt që së fundi është bërë nga komuna e Ferizajt. Është tentuar që të zgjidhet kjo pjesë me derdhjen e atij kanalizimi në atë lum mirëpo siç duket nuk është arritur efekti i duhur”, deklaroi Valdet Syla, menaxher operativ në KRU “Bifurkacioni”.
Në komunën e Ferizajt thonë se sistemi i pompimit është funksional.
“Gjithë ashtu këto ujëra atmosferik dhe ujërat e kanaleve shkaktojë telashe edhe në kanalizim ku fatkeqësisht nuk duhet të hynë, por hynë në kanalizimin fekale të fshatit ndonjëherë ka edhe derdhje të kanalizimit jashtë gypave. Mirëpo kanalizimi i investuar nga komuna është funksional dhe është me sistem të pompimit”, tha Meriton Hajdini – Drejtor i Infrastrukturës.
Lidhur me investimet në rregullimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Kosin, kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka shkruar se investimet po bëhen shkel e shko dhe ka kërkuar hetim për këtë.