Në këtë ngjarje të rëndësishme politike, mes të pranishmëve ishin edhe personalitete të larta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderë shtetesh.

Në mesin e të ftuarve ishin Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, Kancelari austriak Christian Stocker, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristerson, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo si dhe kryetarët e partive tjera anëtare të EPP-së.

Sipas njoftimit nga LDK, sikurse në adresimet e tij gjatë Kongresit ashtu edhe gjatë darkës, Abdixhiku theksoi rëndësinë e një vizioni të qartë evropian për Kosovën dhe kërkoi njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë.

Ai prezantoi para homologëve të tij arritjet e Kosovës në fushën e reformave demokratike, ekonomike dhe avancimit të të drejtave të njeriut, si dëshmi e përkushtimit të vendit ndaj vlerave evropiane.

Gjithashtu, kryetari Abdixhiku ngriti shqetësimet për ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në Republikën sovrane të Kosovës.

Ai shprehu bindjen e tij se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara dhe do të triumfojë, sikurse ka bërë gjithmonë.