“Më shumë sy në qiell, për më shumë siguri në tokë. Përgëzime Ministrisë së Mbrojtjes, urime Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti, duke shpërndarë postimin e ministrit të Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci.

Maqedonci ka bërë të ditur se prokurimi i këtyre mjeteve është realizuar përmes programit amerikan Foreign Military Sale (FMS), ndërsa pagesa është kryer që në vitin 2021. Ai ka theksuar se këto fluturake shtojnë më tej kapacitetet e FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot, si dhe se bashkëpunimi me ShBA-në në fushën e mbrojtjes po thellohet vazhdimisht.