Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se gjatë aktiviteteve të zhvilluara sot në regjionin e Pejës dhe Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, të cilat mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Komisioni ka bërë të ditur përmes një njoftimi se gërmimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët. Në këto dy lokacione, një në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve,” thuhet në njoftim.
Mes tjerash theksohet se pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.



