Lidhje Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Qeverinë në detyrë dhe Ministrinë e Ekonomisë për “keqpërdorime milionëshe” në sektorin e energjisë, duke kërkuar publikimin e kontratave të importit dhe transparencë të plotë për qytetarët e Kosovës.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka theksuar ekzekutivi po tenton të fshehë “gjetjet e rënda” që po dalin në publik, ndërsa ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë dhënë asnjë fakt për të kundërshtuar akuzat.
Bajrami ka deklaruar se “hajnia më e madhe ndaj qytetarëve gjatë këtij mandati bëhet përmes faturave të energjisë elektrike”.
“Hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë këtij mandati është hajnia përmes faturave të energjisë. Për shkak të fakteve të publikuara këto ditë, VV është në panik”, ka deklaruar ajo.
Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë “se kush nuk e ka kryer punën ose kush me qëllim ka ndihmuar kompanitë private që të lejohet gjithë kjo kosto e transportit dhe kjo sasi e importit të energjisë”.
Duke iu referuar deklarimeve të Rizvanollit një ditë më parë, Bajrami ka thënë se janë krijuar dyshime serioze për importet e energjisë dhe rolin dominues të kompanisë EFT në tregun rajonal.
Ajo ka deklaruar se, pavarësisht pretendimeve të ministres në detyrë se Kosova nuk importon energji nga EFT, të dhënat tregojnë se kjo kompani ka monopolizuar tregun, duke fituar shumicën e ankandeve dhe duke bërë të pamundur anashkalimin e saj.
Sipas Bajramit, gjatë qeverisë Kurti 2021–2025, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 811 milionë euro, dhe kostot e transportit të energjisë rriten ndjeshëm kur bien blloqet e KEK-ut.
Bajrami ka kërkuar publikimin e kontratave për të sqaruar origjinën e energjisë dhe çmimet e saj. Ajo ka thënë se Rizvanolli nuk ka treguar se me kë ka kontrata dhe kërkoi transparencë nga institucionet për këtë çështje.
“Rizvanolli tha se Kosova nuk ka asnjë kontratë me EFT-në, por nuk po tregon se më kë ka kontrata. Bëjmë thirrje Rizvanollit, institucioneve, që t’i publikojnë kontratat që ne t’i dimë se prej kujt po blejmë energji, sa po blejmë, ku është origjina e energjisë dhe sa po paguan Kosova për kostot e transportit. Rizvanolli tha se qeveria nuk po importon energji, por qeveria kurrë nuk ka importuar energji. As atëherë kur Kurti fliste për mafinë energjetike. KEK-u ka importuar në një kohë, e tash importon KESCO/KEDS dhe entitete të tjera”, ka shtuar më tej.
Ndërkaq, inxhinierja e LDK-së, Janina Ymeri, publikoi të dhëna teknike që tregojnë mospërputhje mes deklarimeve të ministres dhe realitetit në tregun rajonal të energjisë.
Ajo ka deklaruar se të dhënat nga vendet nga të cilat Kosova pretendohet të ketë importuar energji nuk tregojnë eksport drejt Kosovës.
Ymeri gjithashtu ka theksuar se çështja ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe është raportuar edhe në Komunitetin e Energjisë në Vjenë dhe tek rregullatorët në Lubjanë.
Sipas Ymerit, dokumentet qeveritare dhe bilancet energjetike tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e energjisë së importuar ka ardhur nga Serbia, gjë që mohon versionin e Rizvanollit.




