Një person është gjetur i vdekur sot rreth orës 12:00 në malin Polevica të fshatit Zhur. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi. Ai ka thënë se një qytetar kishte hasur në trupin e pajetë, i cili ishte i varur me litar tek një lis. Bytyqi ka thënë se në vendin e raportuar është gjetur trupi i dekompozuar.
“Një dëshmitar sot rreth orës 12:00 ka raportuar në nënstacionin Zhur se në malin që njihet me emrin Polevica mbi fshatin Zhur, në afërsi të magjistrales Zhur-Dragash, ka hasur në një person të varur me litar për një lis. Rastit ju kanë përgjigjur patrullat policor të Stacionit Policor Prizren së bashku me hetuesit kujdestarë dhe aty shihet personi , duket mashkull, trupi i dekompozuar. Dëshmitari e ka has rreth orës 10:30 dhe është vonuar për shkak të terrenit malor derisa ka arrit në nënstacionin Zhur”, ka thënë Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.